10/21/13

Intervista

Donat Qosja, është dëshmuar edhe aktor i filmit. Ai në filmin “Kukumi”, me skenar dhe regji të Isë Qosjes, krahas Anita Ismailit, ka pasur rolin kryesor të mashkullit që i kushtohej luftës së fundit në Kosovë.Donat Qosja ishte dhe mbetet një aktor i adhuruar, i pëlqyer dhe shumë produktiv. Po cili është Donati jashtë skenës dhe ekranit?
Mund të them se shumë shpesh e barti skenën edhe në shtëpi, sidomos kur bashkëpunoj me babin tim, konsultohemi dhe flasim për projektet. Përndryshe, si çdo njeri që ka familje, edhe unë mundohem t’i kushtoj sa më shumë kohë dhe vëmendje familjes sime. Ato, po them ato, sepse janë gruaja ime dhe vajzat e mija, më inspirojnë dhe më motivojnë që të vazhdoj atë që bëj.

Donat, alias Naim Shalci, tashmë jeni identifikuar me këtë rol dhe sikur po dominon emri i rolit tuaj. Kush është në të vërtetë Donati?
Si duket popullariteti i serialit ka bërë që shumë njerëz të më thërrasin edhe Naim, nuk e marr si dukuri negative; jam i gëzuar që njerëzve iu pëlqen seriali dhe puna që bëjmë të gjithë aktorët aty. Shpresoj se edhe pas përfundimit të këtij seriali, të ketë projekte të tjera të cilat do të pëlqehen nga publiku, sepse vetëm kjo ka mbetur si barometër i suksesit për punën që bëjmë. Si Donat, si aktor, mundohem që punën time ta kryej me përkushtim dhe përgjegjësi të madhe, kjo më sjell edhe mua kënaqësi të madhe.

Ju keni diplomuar në degën e Aktrimit të Akademisë së Arteve të Prishtinës, dhe keni patur fatin që menjëherë të angazhoheni në projekte të ndryshme televizive, nëpër seriale, por edhe në film. Ku e gjeni veten me mirë?
Për mua, skena, ashtu edhe ekrani janë puna ime dhe të dyja më krijojnë kënaqësi. Qasja në to dallon, mirëpo thuhet se skena të bën aktor, ndërsa filmi të bën të famshëm.Fillimisht jeni angazhuar në teatër, pastaj keni luajtur në disa projekte vizive, kurse sikur jeni stabilizuar në serialet satiriko-komike. Duket se këtu e keni gjetur veten më së miri, ose së paku, shikuesit ju kanë pranuar shumë mirë… 
Nuk është se unë jam stabilizuar, është vet seriali dhe suksesi që ka arritur ai që e ka bërë të vazhdojë për 8 sezone dhe, unë si pjesë e tij, kam bërë punën time bashkë me kolegët. Gjatë kësaj kohe kam punuar edhe në teatër e film dhe kam arritur të shkëputem kohë pas kohe prej Naimit dhe të punoj në karaktere tjera.

Keni një personazh shumë interesant në ‘Kafene…’. Si e përshkruani ju karakterin e juaj në këtë Tv serial?
Puna në serial është interesante, e veçantë nga të tjerat. Fillimisht nuk mund ta dish se nga do të shkojë karakteri yt, sepse keni në dorë vetëm skenarin e episodit të parë dhe nuk dihet se çfarë drejtimi do të marrin personazhet, përkundër një filmi apo drame ku dihet se çka ndodhë me personazhet prej fillimit deri në fund. Kështu, fillimisht Naimi, ka pasur vetëm kapuçin dhe qumështin si vija të vrazhda që e kanë karakterizuar atë, kështu kam vazhduar punën time dhe skalitjen e këtij karakteri. Pastaj, bashkëpunimi me personazhet tjerë, marrëdhëniet, rrethanat, e kanë ndihmuar dhe e kanë sjellë një Naim, çfarë është tani.

Sjelljet tuaj skenike krijojnë një karakter interesant, me një humor të lehtë dhe noshalancë. Prej nga vjen ky tip, ky Naim?
Nga bodrumi i Donatit, ndoshta edhe tavani! Janë situatat e caktuara të cilat e bëjnë të reagojnë në mënyrë të caktuar një karakter, e situata të tilla të mira, kemi mjaft në kafene, të krijuara nga skenaristi Astrit Kabashi, i cili ka arritur ta ruajë freskinë e skenarit gjatë gjithë kësaj kohe.

Çfarë ju bën më shumë për të qeshur gjatë xhirimeve të serialit?
Gjatë xhirimeve ndodhin shumë gjëra të papritura dhe qeshim shumë, situatat në të cilat gjendemi nganjëherë, janë ato që na bëjnë të qeshemi më së shumti me njëri-tjetrin. Ndodhë që nuk mund të kalojmë përtej ndonjë momenti për shkak të qeshjes dhe duhet të marrim pauzë për t’u qetësuar. Kjo mund të irritojë pjesën tjetër të ekipit, por janë gjëra që ndodhin sidomos në këtë zhanër.Roli i Naimit identifikohet me gotën e qumështit, çka do të thotë se jeni një personazh i bardhë dhe pozitiv, por edhe pak naiv (në rol), karshi roleve të tjera plot dinakëri. A jeni i kënaqur me rolin dhe a iu merr shumë kohë transformimi nga seriali në serial?
Secili rol merr kohën e vet, ndonjë më shumë, ndonjë më pak, varet se sa përshtatem me atë që gjej në skenar. Nganjëherë më duhet më shumë kohë që të gjej atë që nevojitet, që e karakterizon një personazh. Nuk është lehtë të krijosh një personazh me tipare dhe ndjenja të vërteta.©Naim Kapuqi.

No comments:

Post a Comment